Le blog d'Arta Seiti
24 Mai 2016
Mali i Shenjtë Athos
Mali Athos është një tokë prej afro 400 km², ku unë nuk mund të shkel. Sepse gratë janë rreptësisht të ndaluara të shkelin. Madje, dhe kafshët e gjinisë femërore. Në veri të Greqisë, i shtrirë në detin Egje, e ku maja më e lartë është 2033 metra, ky vend ka afërsisht vetëm 1500 banorë. Me një ndryshim, banorët janë murgjër që jetojnë në 20 manastire të fesë ortodokse, të vendosura aty që prej shekullit të X-të. Kjo «republikë» gëzon një status të veçantë, autonom, të garantuar nga e drejta ndërkombëtare, sipas traktatit të Lozanës të vitit 1923. Kjo botë ireale, ku nuk ka nëna, teze, halla, motra, ku kalendari është ai i Jul Çezarit, ku ora ka mbeteur si në kohën e Bizantit e mesnata përkon me perëndimin e diellit, ku elektriciteti funksionon në çdo manastir me gjeneratorë, e ku banorët janë vegjetarianë, i është përkushtuar tërësisht lutjes dhe devotshmërisë së zotit; andaj quhet ndryshe Mali i Shenjtë. Murgjërit janë grekë e të kombësive të tjera, por të gjithë janë qytetarë grekë dhe gëzojnë të drejta të njëjta. Vendi administrohet nga një guvernator civil, i emëruar nga shteti grek.
Kjo njësi autonome, e përfshirë ne Listën e Trashëgimisë botërore të Unesco-s, është e vyer për koleksionin e artit ortodoks, për ikonat, afresket e dorëshkrimet e vjetra, për arkivat e çmuara. Kërshëria për këtë vend lidhet jo vetëm me vlerat e historisë e të artit, jo vetëm me mënyrën e jetesës. Në një bisedë me profesorin B.Bojovic, të Shkollës së lartë të studimeve në shkencat shoqërore në Paris ( EHESS), i cili e kishte vizituar Malin Athos, para disa vitesh, më tërheq në fillim, një ngjarje e vogël, që do të më sherbejë më pas si nyje për vlerat historike e ikonografike që paraqet ky vend për Shqipërinë. Ai më tregon se në vaporin që merrte për të shkuar në Malin Athos, hyn në bisedë me një punonjës të rendit, kontrollues i lejeve të vizitave, i cili e pyet se « çdo të thotë të jesh shqiptar ? » Sepse, të gjithë e quanin « shqiptar », për arsyen që vinte nga Greqia e Veriut, e sepse ai ishte « qimekuq », tipare që nuk përngjanin me banorët përreth. « Unë, nuk e di se çfarë ka të veçantë të qenit shqiptar, ia pret ai, por një gjë është e sigurt, muzika rumune, sllave, shqiptare është e njëjtë, e më përket ». E pikërisht, në Malin Athos, më tregon më pas, profesori Bojovic, ndodhet « Pirgu shqiptar », kulla shqiptare në manastirin e Hilandarit, të cilin ai e kishte vizituar. Mësoj që i ati i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, bleu në shekullin e XV-të, pirgun e Shën Gjergjit, i njohur me emrin « Pirgu shqiptar », ku Gjon Kastrioti ka jetuar me një nga djemtë e tij, Reposhin. Mësoj në të njëjtën kohë, që Manastirit të Hilandarit, babai i Skënderbeut, i dhuroi dhe dy fshatra nga pronat e tij. Lidhja me historinë tonë më shtyn të kërkoj në « Historinë e Shqipërisë », e gjegjësisht të ndjek gjurmët shqiptare të Malit Athos. Në kreun e tretë të « Historisë së Shqipërisë », të titulluar “ Fundi i sundimeve të huaja – Formacionet shtetërore shqiptare në shekullin XIV – fillimi i shekullit XV », në paragrafin « Shteti i Gjon Kastriotit », shkruhet : «Kështu shpjegohen, p.sh., lidhjet e tij me manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, që gjendet në brigjet e detit Egje. Këtij manastiri, Gjon Kastrioti i dhuroi në vitin 1426 dy fshatra nga pronat e veta në rajonin e Gostivarit, i bleu pirgun e Shën Gjergjit (i njohur edhe me emrin Pirgu Shqiptar), dhe në këtë manastir një nga djemtë e tij, Reposhi, e kaloi jetën si murg derisa vdiq më 25 korrik 1431. »
Nga kërkimet e mëpasme, për Malin Athos e lidhjen e tij me ikonografinë shqiptare, mësoj që emra të shquar piktorësh shqiptarë të afreskeve, kanë punuar në manastiret e këtij vendi. David Selenica (1715), ka pikturuar afreske në manastirin e Laurës së Madhe, në Malin Athos ; vëllezërit, Kostandin dhe Athanas, të mbiquajtur « Zografi », krijimtaria e të cilëve shtrihet nga 1741-1783, në afresket e tyre, kanë ruajtur karakterin krahinor të veshjeve. Eshtë për t’u përmendur, Grigor Zdruli (vdiq në 1906), prift, që profesionin e zografit e morri në Malin e Shenjtë. Atje, formoi dhe atelienë e tij, ku i mësoi zanatin të rinjve shqiptare si Grigor Zdruli (i riu), Spiridhon Dunka, Dhimitër Papaveshi e të tjerë. Anton Zengo, prift, i cili ka ushtruar krijimtarinë e tij në gjysmën e parë të shekullit te XIX-të e deri në fund të po këtij shekulli ; ka punuar në malin Athos.Në këtë republikë murgjërish, ku siç shprehen dhe ata vetë, çdo lëvizje përshkruhet « brënda dhe jashtë nesh » (B.Bojovic), gërshetohen mitikja me realen : sipas mitologjisë greke, Athos, në betejë me Posejdonin, e qëllon me një copë shkëmbi atë, por nuk arrin ta zerë ; shkëmbi bie mbi det në formë piramide, duke krijuar kështu, Malin Athos.
Thuhet që vizitorët e pelegrinët janë të shumtë, specialistët e ikonave bizantine, kërkuesit që nguliten në arkivat e Malit të Shenjtë. Republika autonome e Malit Athos, vazhdon të mbetet e shkëputur nga bota. Por pasuritë etnografike, të ikonografisë ortodokse peshojnë. Në brendësinë e një forme tjetër të kërkimit shpirtëror, në qetësinë e murgjërve që vështrojnë njeri-tjetrin, shpresoj që një ditë të shkel ; shpresoj të vizitoj gadishullin e thepisur e pa dyshim, « Pirgun shqiptar ».